Balluku: Tiranë-Durrës me korsi emergjence, punimet nisin në 2024-n
2023-11-16 11:26:54

Foto ATSH

Vitin e ardhshëm do të nisin punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të planit të investimeve nga buxheti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, bën të ditur “ATSH”. Ministrja Balluku bëri të ditur se autostrada do të zgjerohet me nga dy korsi në secilin drejtim, ku njëra nga korsitë do të jetë korsi emergjence.

Ajo e cilësoi këtë si një ndër projektet më të rëndësishme që do të nisin zbatimin në vitin që vjen.

Sipas Ballukut, autostrada Tiranë-Durrës do të shndërrohet në një autostradë e kategorisë A me katër korsi në secilin drejtim.

“Pas analizave të thella që kemi bërë, duke ndjekur numrin e shtuar të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës që lidhen nga zona industriale më e rëndësishme e Shqipërisë, nisur edhe nga fakti se ka nisur nga zbatimi faza e parë e Marinës së Durrësit dhe atë se çfarë do të ndodhë me portin e ri të Durrësit, ne kemi parashikuar zgjerimin e autostradës me 2 korsi nga secila anë, një korsi për t’iu shtuar rrugës ekzistuese dhe një korsi emergjence”, - deklaroi Balluku. (Elona)