Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për diskutime rreth normalizimit të marrëdhënieve
2023-11-16 19:51:57

Foto:VCG

Foto:VCG

Kosova dhe Serbia po diskutojnë të enjten në Bruksel në nivel kryenegociatorësh zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

I dërguari evropian Miroslav Lajçak filloi takimin me delegacionin serb të drejtuar nga kryenegociatori Petar Petkoviç, për të vazhduar më pas me atë të Kosovës, të drejtuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Gjatë ditës mund të ketë një takim trepalësh nëse shihen përparime.

Në qendër të diskutimeve është projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për zbatimi i detyrimeve tjera që dalin nga marrëveshja për të cilën palët u pajtuan me 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.

Propozimi për projekt statutin e Asociacionit u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel liderin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit.

Udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit, ndërsa nga Serbia, njohjen de fakto të Kosovës.