BE- Gjermani, 14.6 milionë euro për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri
2023-11-16 11:17:37

Mirela Kumbaro (Foto ABC news)

Mirela Kumbaro (Foto ABC news)

Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) prezantuan projektin e ri “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm”.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit të ri ishin ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Karlfried Bergner.

Kumbaro dhe Bergner vlerësuan projektin e ri, i cili do të kontribuojë në zbatimin e standardeve europiane mjedisore dhe parimet e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, citon “RTSH”.

Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri tha se menaxhimi i mbetjeve është thelbësor në kalimin drejt një të ardhmeje më të shëndetshme dhe më të pastër. Sot në Shqipëri, vetëm 76% e mbetjeve shtëpiake mblidhen çdo vit dhe vetëm 18% riciklohet. “Duke përpunuar dhe ripërdorur këto mbetje, ne jo vetëm mund të zvogëlojmë ndikimin në mjedis, por gjithashtu mund të krijojmë dhjetëra-mijëra vende të reja pune”, - tha ai.

Projekti po zbatohet nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë.

Me një kohëzgjatje 3.5 vite dhe financim 14.6 milionë euro, projekti do të ndihmojë Shqipërinë të pakësojë mbetjet dhe të kalojë drejt modelit të ekonomisë qarkulluese. (Elona)