Konsumi privat u rrit me 4% në 3-mujorin e dytë të 2023
2023-11-15 15:56:27

Treg (Foto ATSH)

Treg (Foto ATSH)

Në 3-mujorin e dytë të këtij viti, konsumi privat u rrit me ritëm më të përshpejtuar se tremujori paraardhës, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas Bankës, rritja e konsumit u mbështet nga treguesit e përmirësuar të punësimit, rritja e të ardhurave nga pagat, zgjerimi i remitancave dhe i kredisë konsumatore, si dhe nivelet e përmirësuara të besimit, shkruan “ATSH”.

Konsumi privat u rrit me 4% në tremujorin e dytë, normë më e lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Konsumi privat vijoi të mbetet kontribuuesi kryesor në zgjerimin e kërkesës agregate (kërkesa për mallra dhe shërbime).

Gjithashtu, shpenzimet familjare u rritën për mallrat e konsumit afatshkurtër, afatgjatë dhe për shërbimet.

Banka Qendrore, mbështetur në të dhënat e disponueshme, parashikon që konsumi privat pritet të rritet me ritme të ngjashme në tremujorin e tretë të vitit 2023, duke ndikuar pozitivisht edhe në rritjen ekonomike të vendit. (Elona)