Rama: Inteligjenca artificiale do të përdoret vitin e ardhshëm në e-Albania
2023-11-15 11:32:58

Foto nga ATSH

Brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, shërbimi i e-Albanias do të ofrohet me zë dhe figurë përmes inteligjencës artificiale.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec, kryeministri Edi Rama u shpreh se do të rrisin shumë më tepër kapacitetet e vendit në teknologji, shkruan “ATSH”.

“Flas për digjitalizimin, për të gjitha sistemet teknologjike që mundësojnë një shpejtësi shërbimesh dhe një transparencë të lartë të punëve të shtetit dhe patjetër ulin të gjitha ato abuzime që vijnë si rezultat, qoftë i ryshfetit dhe i korrupsionit, qoftë edhe i paaftësisë apo i humbjeve të pafundme në kohë të burokracisë”, - u shpreh ai.

“Tani shumë shpejt e-Albania do ta keni në një formë tjetër. Do të mund të komunikoni me e-Albania në kohë reale përmes një sistemi të ri që jemi duke e përfunduar dhe pastaj besoj brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm do ta keni e-Albania në xhep me zë dhe figurë përmes inteligjencës artificiale”, - vijoi Rama.

Kjo,- tha Rama, - zhduk komplet sekserët, si edhe kohën e pafundme që të harxhon marrëdhënia me zyrat. (Elona)