Pr/buxheti 2024, Kumbaro: Prioritet, kthimi i Shqipërisë në destinacion tërheqës turistik, cilësor e të qëndrueshëm
2023-11-14 14:28:45

Foto nga VCG

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi të hënën para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, projektbuxhetin 2024. Projekti buxheti që sipas saj kap shifrën 33.5 milionë euro, synon kthimin e Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm.

Për promovimin e turizmit, Ministrja solli në vëmendje disa prej aktiviteteve ndërkombëtare ku Shqipëria do të bëhet pjesë gjatë vitit 2024. Gjatë vitit 2024 Shqipëria do të presë 40 ministra të Turizmit nga kontinenti europian,në kuadër të mbledhjes së 70-të të Komisionit Europian të Organizatës Botërore të Turizmit  e cila do të mbahet në pranverë, nën kornizën e edicionit të dytë të  FESTA − Forum of Environmental and Sustainable Tourism in Albania. Ky forum sipas Kumbaros, është një produkt shumë i rëndësishëm për investimet në turizëm në Shqipëri.

Po ashtu, vitit 2024 do të jetë viti i Pyjeve dhe për këtë Kumbaro tha se do të ketë aktivitete sensibilizuese në bashkëpunim me të gjitha bashkitë që i kanë nën administrim. (Fatosi)