Zbulohet tuma e tretë prehistorike në Himarë
2023-11-10 10:04:19

Foto ATSH

Kryeministri Edi Rama njoftoi se në Himarë është zbuluar tuma e tretë prehistorike, pranë varrezës tumulare, e cila paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama i cilësoi këto zbulime mbresëlënëse dhe tha se objektet e zbuluara në to i përkasin periudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.K.), përcjell “ATSH”.

“Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian. Kultura e dokumentuar në to është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë”, theksoi kryeministri Rama.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi se gjatë gërmimeve u zbuluan edhe disa objekte arkeologjike, mes të cilave një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.K.).

“Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit”, theksoi ministrja Margariti.

Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit jonian. Në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik nga gërryerja e përroit, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së bronzit të vonë dhe disa varre.

Në 2020 u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmoi ekzistencën e një varreze tumulare me vlera të jashtëzakonshme historike. (Irma)