Shqipëria vlerësohet me çmim për peshkimin në eventin e organizuar në Kroaci
2023-11-10 10:53:34

Foto ATSH

Shqipëria u vlerësua me “Compliance Award”, në sesionin e 46-të të Komisionit të Përgjithshëm për Peshkimin në Mesdhe (KKPM/GFCM), i zhvilluar në Split, të Kroacisë, duke u renditur për herë të parë në Kategorinë 1, për sa i përket zbatimit të Rekomandimeve të GFCM dhe raportimit të të dhënave.

Çmimi u tërhoq nga Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, shkruan “ATSH”.

Kjo arritje vjen si rezultat i punës së kryer nga sektori i peshkimit dhe është në linjë me gjetjet e Progresraportit 2023 të KE-së për Kapitullin 13-Peshkimi.

Zv.ministri vuri në dukje se, në nivel kombëtar, Shqipëria ka vënë në lëvizje reforma ambicioze, duke përditësuar ligjet dhe rregulloret për peshkimin, duke i përafruar ato me rekomandimet e GFCM siç parashikohet në deklaratën e “MedFish4Ever”, që është nënshkruar nga qeveria shqiptare në vitin 2017. (Irma)