Ministri Mete: Procesi i Berlinit, mundësi për integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor
2023-11-10 10:30:19

Foto RTSH

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, deklaroi gjatë konferencës mbi Lehtësimin e Tregtisë, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, se qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të angazhimeve të dala nga Procesi i Berlinit.

Ministri Mete theksoi se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të përmbushur synimet e përbashkëta për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, shkruan “RTSH”.

“Progresi i arritur në nivel politik përmes heqjes së tarifave doganore mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit dhe mes vetë vendeve të Rajonit nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë, të Stabilizim-Asocimit dhe CEFTA-s, po plotësohet me masa teknike për heqjen e barrierave jotarifore, krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit “One Stop Shop”, njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, si dhe përmes një sistemi të integruar të transitit”, deklaroi ai.

Mete vuri në dukje se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mbështetur idenë për fazën e dytë të projektit të Bankës Botërore për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit. Ky propozim, sipas tij, kërkon ndërmarrjen e një sërë masash, si dhe iniciativave të tjera, si korsitë blu, korsitë e gjelbra, etj.

Ai tha se bëhet fjalë për tregun e përbashkët evropian, me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe mund të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar.

Nga ana tjetër, vuri në dukje Mete, shërbimet e digjitalizuar kanë reduktuar ndjeshëm kontaktet fizike me administratën doganore. Sot, tha ai, 34 shërbime ofrohen elektronikisht përmes portalit qeveritar e-Albania, ndërsa po punohet për vënien në zbatim edhe të 21 shërbimeve të tjera.

Sipas tij, kompanitë, sidomos ato të mesme dhe të vogla, po përdorin mjete digjitale dhe novatore për të kapërcyer barrierat e rritjes, po adaptojnë modele të reja që lejojnë kryerjen e transaksioneve komplekse, si dhe po përdorin mundësi alternative financimi. (Irma)