Balluku: Strategjia e Specializimit Inteligjent, udhërrëfyes për reformat dhe investimet
2023-11-09 10:08:15

Belinda Balluku (FB Belinda Balluku)

S3 (Foto Bashkimi i Prodhuesve Shqiptare)

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për krijimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës. Nëpërmjet këtij institucioni, që do të jetë në varësi të Kryeministrit, synohet të promovohet inovacioni dhe angazhimi i ekspertëve vendas e të huaj në administratën publike dhe ekselentëve në implementimin e teknologjive të përparuara. Në vendimin e qeverisë thuhet se Agjencia pritet të ketë seli në Tiranë dhe do të  organizojë programe dhe aktivitete, duke ofruar mbështetje për operatorët publikë dhe privatë në fushën e inovacionit.

Zv. Kryeministrja Belinda Balluku theksoi sërish rëndësinë e përfshirjes së të rinjve të diasporës në këtë projekt.

”Ka në qendër të saj se si qeveria shqiptare, sesi vendi ynë duhet të bëjë më shumë për të mbajtur këtu kapacitetet tona njerëzore, por nga ana tjetër dhe për të përthithur dhe kthyer në vendin tonë ata që sot ndodhen në diasporë dhe kontribuojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në disa nga sektorët më kyç. Njohim djem dhe vajza, të cilët janë sot emrat kryesorë në fushën e inovacionit, janë ata që po hapin një faqe të re te teknologjisë, siç është inteligjenca artificiale. Nga ana tjetër qeveria shqiptare me ngritjen e Agjencisë së Inovacionit dhe të Ekselencës duhet të ketë mundësi që të përdorë shumë nga shqiptarët që ndodhen në diasporë. Do ketë mundësi që t’i ftojë ata të bëhen pjesë e këtij procesi të madh dhe për të na dhënë dhe ne që ndodhemi këtu, projekte që janë të bazuara mbi inovacionin.”-tha Balluku.

Strategjia e Specializimit Inteligjent (S3- Smart Specialisation Strategy) u konceptua në kuadër të politikës së reformuar të kohezionit të Komisionit Evropian (EU Cohesion Policy) në lidhje me aspektet e zhvillimit të rajoneve të vendeve anëtare të BE-së. 

“Do të jetë shumë e rëndësishme se çka ajo që ne kemi marrë nga gjithë procesi i S3, nga gjithë tryezat konsultative që kemi bërë ndërkohë nga produkti që ekipi kombëtar të nxjerrë. Do të jetë shumë e rëndësishme që janë propozuar bashkërisht nga të gjithë aktorët, të planifikohen siç duhet për të qenë të monitorueshme, sepse monitorimi, supervizimi i një procesi është një nga elementët më të rëndësishëm të suksesit. Me gjithë dëshirën e mirë për të nisur procese dhe për t’i realizuar duhen marrë masa për monitormin dhe realizimin e këtyre proceseve ashtu siç janë dizenjuar dhe siç janë eficente në të mirën e vendit. Për këtë është e rëndësishme që të identifikohen instrumentet financiarë, mbështetës buxhetor, apo fonde mbështetëse të BE-së, të donatorëve, apo edhe të entiteteve të tjera. Në muajt e ardhshëm duhet të jetë e rëndësishme dhe intensive puna për të finalizuar dokumentin e strategjisë, një dokument që parashikohet të validohet nga Komisioni Evropian.”-u shpreh Balluku.

 S3 është një qasje e bazuar tek territory, që karakterizohet nga identifikimi i fushave prioritare strategjike me avantazh të lartë konkurues të një rajoni apo një vendi, ku duhet të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë qëndrore e lokale.

“Ekipi kombëtar i S3 ka filluar tashmë punën dhe do të ketë mbështetjet e të gjitha ministrive dhe institucioneve pjesë e komitetit ndërministror të cilin e drejtoj, për të përfunduar në kohën e duhur  dokumentin e S3 dhe procedurat e nevojshme për miratimin e tij, duke realizuar kështu dhe një prej detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit të BE-së me dy kapitujt, kapitullin 20 për ndërmarrjet dhe politikat industriale dhe kapitullin për shkencën dhe kërkimin. Kërkimin e kemi humbur ndër vite dhe për këtë biem të gjithë dakord. Nga institucionet që e ndjenë më shumë pjesën e nuklave kërkimore padyshim është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka pasur pjesën më të madhe të kontributit në institutet e kërkimit, duke nisur nga gjeologjia, hidrologjia etj që kanë krijuar një vakuum. Do të ishte e pamundur që vete shteti të ngrinte institute kërkimi”, theksoi më tej në fjalën e saj numri dy i qeverisë.

S3 (Foto Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Ekipet e specializuara në çdo ministri do të japin kontribut në ngritjen e qendrave kërkimore.

“Sot ka ardhur një kohë tjetër se nga një bashkëpunim i ngushtë mes qeverisë, biznesit, akademikëve, dhe shoqërisë civile, pra asaj elitës së rëndësishme që shpesh e përmendim gjatë S3, të krijojmë një habitat të mundshëm për ngritjen e qendrave kërkimore brenda institucioneve të ndryshme, qofshin universitete, njësi të biznesit privat apo edhe njësi pranë ministrive apo agjencive që kanë fusha specifike dhe mbulojnë sektorë të rëndësishëm, siç është sektori minerar, energjia, apo edhe sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm, madje edhe vetë transporti ka nevojë për kërkime dhe studime. Bazuar mbi të gjithë strategjinë e S3, një nga elementët më të fuqishëm me të cilin do merremi, është ngritja e kapaciteteve për kërkim shkencor”, shtoi Balluku

Sipas zv.kryeministres Balluku,   Strategjia e Specializimit Inteligjent S3 do të jetë gjithëpërfshirëse.

“Ky proces duhet thënë se është mbështetur dhe asistuar në vijimësi, prej fillimit të tij nga Komisioni Evropian dhe Qendra e përbashkët kërkimore e komisionit evropian që i falënderoj për mbështetjen e dhënë ndër vite. Do të doja të falënderoja dhe Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë për gjithë mbështetjen dhe facilitetet që na keni krijuar ndonëse shpesh herë burokracia jonë vonon pak në procese, por ju keni qenë partnerë dhe unë ju quaj pjesë të pandarë të këtij procesi dhe kontributorë shumë të rëndësishëm. Strategjia e Specializimit Inteligjent do të jetë prioritet i qeverisë shqiptare dhe një element mjaft i rendesishem për drejtimin e investimin në të ardhmen në fushat prioritare dhe në zhvillimin e bazuar në dije dhe inovacion, duke mbështetur rrugëtimin tonë drejt BE-së”

Prioritetet në S3 mund të përcaktohen në aspektin e fushave ose njohurive (jo vetëm ato që mbështeten në shkencë, por edhe ato sociale, kulturore dhe krijuese), nën-fushat brenda një sektori, ose duke i ndarë sektorët ekonomikë që korrespondojnë me zona specifike të tregut, grupe, teknologji, ose aspekte të aplikimit të teknologjive për sfidat specifike shoqërore, mjedisore ose shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve (p.sh. aspektet e ICT në ndihmë të moshave të treta, zgjidhjet për të reduktuar bllokimin e trafikut, materialet inovative për eko-ndërtimet, etj.). Ndërsa disa rajone ose vende mund të kenë prioritet një ose më shumë teknologji kyçe, të tjerët do të fokusohen në zbatimin e teknologjive të tilla për qëllime specifike ose fusha të përcaktuara.