INSTAT-i: Inflacioni zbret në 3.8% në tetor
2023-11-09 14:51:05

Foto ATSH

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po vijon rënien duke arritur kështu nivelin më të ulët që prej fillimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Instituti i Statistikave publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2023 është 3.8%, nga 8.3% një vit më parë. Por sërish çmimet e grupit të ushqimeve mbeten të larta, shkruan “ATSH”.

Sipas INSTAT-it, krahasuar me muajin tetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 7.6%, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 7.4%, “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5.2%, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.8%, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.6%, “veshje dhe këpucë” me 3.2%, “shërbimi arsimor” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.9% secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit të transportit shënuan ulje me 8.3%. (Elona)