Porti i Shëngjinit pikë pritëse për refugjatët, drejtori: Është përcaktuar zona e karantinës
2023-11-09 11:49:42

Foto RTSH

Porti i Shëngjinit do të jetë pika pritëse për refugjatët që synojnë Italinë, të cilët do të strehohen në Shqipëri deri në shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil. Për “RTSH”-në, drejtori i këtij porti, Sandër Marashi, thotë se janë të gjitha kapacitetet e duhura për të përballuar fluksin, duke mos cenuar aspak punën në kantierin detar.

“Porti i Shëngjinit i ka të gjitha kapacitetet, pa e penguar aktivitetin e tij. Vendi, zona e karantinës është e përcaktuar dhe do t’i jepet qeverisë italiane për ta menaxhuar”,- tha Marashi.

Pas përpunimit të të dhënave në qendrën e pritjes në portin e Shëngjinit, azilkërkuesit do të transportohen në Gjadër.

“Refugjatët që do të vijnë nuk do të kenë kontakt me banorët e Shëngjinit apo Lezhës. Ata do të vijnë, do të karantinohen këtu, do të hipin në autobusë dhe do të ikin në destinacion, në kampin që është caktuar”,- shprehet Marashi.

Projekti për ndërtimin e qendrës së pritjes, investim i palës italiane, pritet të nisë së shpejti nga puna për të qenë gati brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

Marrëveshja e nënshkruar me Italinë, sikundër pohoi kryeministri Rama, synon frenimin e valës së emigrantëve në vendin fqinj. (Elona)