Publikohet marrëveshja mes Ramës dhe Melonit për emigracionin
2023-11-09 11:44:15

Foto RTSH

Publikohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit, e cila u nënshkrua të hënën në Romë nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni.

Marrëveshja parashikon që pala shqiptare do të ofrojë vetëm pjesë të territorit të saj ku do të ngrihen dy qendra me një kapacitet maksimal prej 3 mijë vendesh, për emigrantët e nisur nga veriu i Afrikës, të cilët do të shpëtohen në det nga anijet ushtarake italiane apo ato të Guardia di Finanza-s, shkruan “RTSH”.

Shpenzimet, sipas marrëveshjes, do të mbulohen nga pala italiane, ndërkohë që policia shqiptare merr përsipër të garantojë sigurinë në perimetrin e jashtëm të dy qendrave të caktuara, që janë një në Shëngjin e tjetra në Gjadër.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse.

Marrëveshja parashikon që Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj strukturat për qëndrimin e emigrantëve, po ashtu kufiri maksimal do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Italia përballon çdo shpenzim për emigrantët e strehuar, përfshirë çdo kosto të kujdesit shëndetësor dhe çdo kosto tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Në marrëveshje përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit/mbrojtjes. Në përfundim të procedurave, pala italiane kryen me shpenzimet e saj largimin e emigrantëve nga Shqipëria. (Elona)