Vaksinimi ndaj gripit me ritme të larta, ISHP: Është marrë 40% e sasisë
2023-11-09 16:16:19

Foto RTSH

Infektimet dhe shkalla e lartë e agresivitetit nga gripi vitin e kaluar bëri që shumë qytetarë ta kalojnë jo lehtë. Kjo eksperiencë ka nxitur këtë vit më shumë vaksinime. “Vaksinimi ndaj gripit sezonal këtë sezon ka ecur shumë mirë. Në datën 16 tetor u shpërndanë 260 mijë doza dhe vetëm në tri javë është përthithur 40% e sasisë së përgjithshme. Janë kryesisht moshat e treta, të sëmurët kronikë, ata me imunitet të kompromentuar si dhe stafet e sistemit shëndetësor të cilët e kanë marrë të parët këtë vaksinë”,- deklaroi për “RTSH”-në Rovena Daja, përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit.

Këtë sezon vjeshtë-dimër, ajo që bie në sy është vaksinimi i 200 grave shtatzëna, një shifër e lartë sipas ISHP-së, krahasuar me sezonet e shkuara.

“Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit kemi një numër shumë të lartë të vaksinimit të grave shtatzëna. Janë rreth 200 gra që e kanë aplikuar këtë vaksinë”,- u shpreh Daja.

Ndonëse në vend po qarkullojnë shumë viroza, ISHP-ja bën të ditur se ende nuk kanë izoluar raste me grip, ndërsa ato me Covid janë më pak se gjatë muajit shtator.

Vaksina e gripit jep efekte 2 javë pas aplikimit, ndaj ekspertët thonë se kjo është periudha më e mirë për ta bërë për sa kohë ende nuk qarkullon grip në Shqipëri. (Elona)