“Strong Balkan 2023”, Shqipëria organizatore e stërvitjes më të madhe rajonale të njësive elitë
2023-11-09 11:17:58

Foto RTSH

Ka nisur në Shqipëri stërvitja e forcave speciale të nëntë vendeve të Ballkanit, nën emrin e koduar “Strong Balkan 2023”. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është zhvillimi i aftësive të forcave nga toka dhe nga ajri, si dhe koordinimi më i mirë mes forcave rajonale.

Kjo stërvitje vjen në kuadër të iniciativës “Balkan 9”, mes shefave të Shtabeve të Ushtrive të vendeve ballkanike.

Forcat speciale të rajonit po demonstrojnë dhe ndajnë me kolegët e tyre teknikat më të fundit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, bën të ditur “RTSH”. Kjo stërvitje shumëkombëshe zhvillohet prej 10 vjetësh. Pjesëmarrës janë me qindra trupa elitë nga vende si Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në këtë stërvitje, njësitë speciale demonstruan teknika të ndryshme, si neutralizim të elementeve terroriste, goditje objekti, evakuim i të plagosurve nga fushëbeteja, qitje me snajper dhe infiltrim me parashutë. (Elona)