Ministrja Manastirliu: Investime për zhvillimin e teknologjive inovative në fushën e energjisë së rinovueshme
2023-11-08 16:37:41

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, inspektoi laboratorin e ri në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku është invenstuar për pajisje kërkimore dhe eksperimentale për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, si energjia diellore, e erës dhe gjeotermale, shkruan “ATSH”.

Ministrja Manastirliu deklaroi se ky investim i Ministrisë së Arsimit, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, do të mundësojë zhvillimin e teknologjive të reja dhe inovative në fushën e energjisë së rinovueshme.

“Nuk ka asnjë gjë më të bukur se sa të shohësh se si në praktikë këto aparatura të reja i vlejnë studentëve dhe departamentit për të stimuluar këto burime të energjisë, si energjia nga era apo nga dielli”, tha ajo.

Manastirliu theksoi po ashtu edhe rëndësinë e shfrytëzimit të laboratorëve nga studentët në shërbim të biznesit.

Sipas saj, investimi do të kontribuojë në përmirësimin e njohurive dhe kapaciteteve të studentëve, doktorantëve dhe pedagogëve, për punë studimore dhe kërkime shkencore.

Ministrja siguroi se me buxhetin e vitit 2024 do të vijojnë investimet për kërkimin shkencor në universitete, duke drejtuar studimet e thelluara, drejt nevojave që ka vendi. (Irma)