Kryeministri Rama: T’i jepet fund sa më parë konfliktit Izrael-Hamas para se të dalë jashtë kontrollit
2023-11-08 14:32:58

Foto Rtsh

Ndërsa lufta Izrael-Hamas vijon prej një muaji, kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e Shqipërisë për mbështetjen ndaj qëndrimit të Izraelit ndaj Hamasit, por dhe shprehu shqetësim për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se është thelbësore që t’i jepet fund konfliktit para se të dalë jashtë kontrollit, teksa mbështeti thirrjen ndërkombëtare për një pauzë humanitare, shkruan “RTSH”.

“Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t'i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e presidentit amerikan për një pauzë humanitare”,- shkroi kryeministri Rama në një postim në platformën “X”.

Kryeministri njoftoi se shumë shpejt do të bashkohet me liderët botëror në Forumin e Paqes në Paris, për të diskutuar mbi mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme”, shkruan Rama. (Irma)