Forcat Speciale të Ballkanit vijojnë stërvitjen e përbashkët në Shqipëri
2023-11-07 10:14:01

Foto Rtsh

Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe ato të rajonit vijojnë stërvitjen e përbashkët “Strong Balkan 23”, e cila synon rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe aftësive të Forcave Speciale në rajonin e Ballkanit, shkruan “ATSH”.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një reagim në rrjetet sociale tha se qëllimi i kësaj stërvitje është përmirësimi i bashkëpunimit në operacione të vështira mes forcave speciale të vendeve të Ballkanit.

“Vijon stërvitja “Strong Balkan 23”. Me qëllim rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe aftësive të Forcave Speciale në rajonin e Ballkanit, trupat po zhvillojnë taktika të përbashkëta, për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre në operacionet e vështira”,- shkroi ministri Peleshi.

Stërvitja “Strong Balkan 23”, zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Në këtë stërvitje marrin pjesë Forcat Speciale nga 8 vende të Ballkanit. Nga kjo stërvitje Forcat Speciale do të përftojnë njëherësh rritje në nivelin profesional, aftësim taktik, operacional e strategjik, për të përballuar sfidat komplekse që paraqet sot mjedisi i sigurisë. (Fatosi)