Optimizimi i humbjeve në rrjetin e energjisë kursen 8 milionë euro
2023-11-07 10:39:25

Foto Rtsh

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se nga optimizimi i humbjeve teknike në rrjetin energjetik shqiptar, në vitin 2023 u kursyen 8 milionë euro.

“Muaji tetor shënoi shifër rekord, 113% të mbledhjes së të ardhurave, ku janë mbledhur edhe debite të mbartura”, tha Balluku gjatë një takimi me punonjës të OSHEE-së, shkruan “RTSH”.

Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti u arrit të kurseheshin 8 milionë euro, që përkthehen në investime për optimizimin e rrjetit.

Ministrja e Energjisë kujtoi se niveli i humbjeve në rrjet ka qenë 45% dhe ka arritur në nivelin 18%.

Sipas Ballukut, në 4 vitet e fundit sistemi energjetik shqiptar është përballur me sfida të mëdha, tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike. (Fatosi)