26 miliardë lekë për ndihmën ekonomike në projektbuxhetit 2024
2023-11-07 09:55:35

Buxheti 2024 (Foto Europarl.europa)

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në projektbuxhetin e vitit 2024 parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë, ose 1.1% të PBB-së, shkruan “ATSH”.

Sipas relacionit të projektbuxhetit, i cili ka nisur shqyrtimin në Kuvend, numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 64.000 në vit.

Për vitet 2025-2026 ai parashikohet të ulet me 500 familje, pasi synohet punësimi i anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese.

Në zbatim të skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit, numri i përfituesve si Persona me Aftësi të Kufizuar dhe kujdestarëve të tyre parashikohet të jetë 161 mijë përfitues në vitin 2024.  (Fatosi)