Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, 51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse
2023-11-06 11:12:04

Foto Atsh

Qeveria shqiptare ka planifikuar në projektbuxhetin për vitin 2024 rreth 51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse për në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) në autostradën Fier-Vlorë, njofton “ATSH”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në një aeroport me rëndësi i vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

VIA do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit.

Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s, aeroporti “Nënë Tereza”.

Vlerësohet se konkurrenca midis VIA-s dhe TIA-s do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë. (Fatosi)