Ministrja Koçiu: Mbi 36 mijë familje përfituan bonusin e bebes deri më tani këtë vit
2023-11-06 11:49:02

Bonusi i bebes (Foto Cna.al)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se mbi 36 mijë familje kanë përfituar bonusin për të porsalindurit që nga 1 janari i këtij viti, shkruan “ATSH”.

Sipas saj, edhe në buxhetin e vitit 2024, qeveria shqiptare do të vijojë të financojë Programin e Bonusit të Bebes.

Fondi për këtë program do të jetë 2.2 miliardë lekë, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj, theksoi Koçiu.

Programi i bonusit të bebes ka hyrë në fuqi prej 1 janarit 2019. Për 5 vitet e fundit është ofruar mbështetje për pothuajse 200 mijë familje, që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.

Sipas ndryshimeve në Ligjin për Asistencën Sociale, të miratuara në tetor, bonusi i bebes do të përfitohet vetëm nga familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.

Me anë të bonusit të bebes mbështeten familjet shqiptare në masën 40.000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; në masën 80.000 lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120.000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe kështu me radhë të foshnjave të tjera në vijim. (Fatosi)