Nis dimri në Shqipëri, pas stuhisë bie dëbora e parë në Korçë
2023-11-06 11:25:50

Foto Rtsh

Pas stuhisë me shi të dendur e erë të fortë, në qarkun e Korçës kanë rënë edhe reshjet e para të dëborës, të cilat janë regjistruar në lartësitë mbi 2000 m mbi nivelin e detit.

Bora e parë ka qenë më e dukshme në majën e malit të Gramozit në Kolonjë, si pasojë e së cilës edhe temperaturat janë ulur ndjeshëm, duke sjellë atmosferën e dimrit, shkruan “RTSH”.

Ndërkohë, vijon puna nga autoritetet lokale për të normalizuar situatën e shkaktuar nga reshjet e shiut dhe era e fortë.

Po punohet ende në rrugën e fshatit Panarit të Korçës ku si pasojë e vërshimit të përroit është dëmtuar ura në hyrje të fshatit si dhe ka pasur rrëshqitje dherash në rrugë.

Po punohet edhe në bashkinë e Kolonjës, në rrugët e fshatrave Kamnik, Gjonç, Prodan e Çlirim ku ka pasur rrëshqitje dherash. (Fatosi)