Projekti “Agritourism Tours”, për zhvillimin e tureve tematike në këtë sektor
2023-11-05 10:22:58

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me GIZ Albania, fermat agroturistike si dhe me ekspertë të turizmit dhe aktorë lokalë e qendrorë, ka nisur zbatimin e projektit “Agritourism Tours”, për konceptimin dhe zhvillimin e tureve tematike për këtë sektor, shkruan “ATSH”.

Këto ture do t’u japin mundësinë turistëve të përjetojnë veçantitë dhe atraksionet natyrore, të njohin më shumë zonat e kultivimit dhe kantinat e verës, të shijojnë ushqimet tradicionale të zonave rurale, të takojnë nga afër vendasit dhe të bëhen pjesë e festave të tyre lokale.

Kjo mënyrë prezantimi te vizitorët do të përbëjë një ofertë të specializuar turistike duke i dhënë zonave rurale jo vetëm zhvillim ekonomik por edhe jetë e gjallëri.

Agroturizmi luan një rol vendimtar në ruajtjen e vlerave, kulturës dhe traditave të një kombi dhe investimet në këtë sektor vitet e fundit i ka dhënë një dimension të ri zhvillimit të fshatit. (Irma)