Universiteti i Tiranës dhe ai francez Poitiers, më shumë shkëmbime studentësh dhe profesorati
2023-11-05 14:22:17

Takim i Universitetit te Tiranes dhe atij francez (Foto Atsh)

Takim i Universitetit te Tiranes dhe atij francez (Foto Atsh)

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, priti në takim një delegacion të Universitetit publik francez të Poitiers. 

Përfaqësuesit e të dy universiteteve ndanë të njëjtin mendim për nevojën e shtimit të bashkëpunimit për të rritur intensitetin e studimeve reciproke, përfshirë studentë dhe pedagogë, shkruan “ATSH”.

Në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, Universiteti i Tiranës krijon më shumë hapësirë për studentët e huaj që duan të kryejnë studime plotësuese, kërkimore apo studime të pjesshme në kuadër të programeve të shkëmbimit.

Universiteti i Tiranës dhe ai i Poitiers kanë një marrëveshje bashkëpunimi që në vitin 2002 dhe kanë një histori të pasur shkëmbimesh. Në këtë universitet kanë përfunduar studimet shumë studentë shqiptarë, mbështetur edhe me bursa nga Ambasada franceze në Tiranë.

Ndërkohë që pas vitit akademik 2019-2020 dhe në vazhdim, studimet e studentëve janë financuar kryesisht nga programi Erasmus+ KA107, por pa e përjashtuar edhe mbështetjen prej Ambasadës me mesatarisht nga dy deri në katër bursa çdo vit.

Në kuadër të Programit Erasmus+ KA1 me Universitetin e Tiranës, nga UT-ja në Poitiers ka pasur 64 shkëmbime (9 prej të cilave të akorduara nga Ambasada) dhe pritet të realizohen edhe 25 shkëmbime në vitin akademik 2023-2024. Nga Poitiers në UT ka pasur 22 shkëmbime dhe pritet të realizohen edhe 16 shkëmbime në vitin akademik 2023-2024.

Poitiers është ndër universitetet më të vjetra në Evropë, i themeluar në vitin 1431. (Irma)