Luljeta Lleshanaku merr titullin “Poetja laureate”
2023-11-05 12:20:12

Poeti laureat (Foto Panorama)

Poeti laureat (Foto Panorama)

Luljeta Lleshanaku u vlerësua me titullin “Poetja laureate” për periudhën 2-vjeçare 2023-2025, gjatë një ceremonie të zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. 

Titulli iu dha me motivacionin “për vargun e saj modern, larg metaforës së automatizuar, duke e ndërtuar me ritëm e krahasim domethënien e frazës poetike duke krijuar një brez të ri poetësh, shkruan “Panorama”. 

Lleshanaku përfaqëson atë çka është postmoderne në letërsinë shqipe, duke i kthyer kësaj të fundit bashkëkohësinë në letërsinë botërore.

“Një nga pjesët më të vështira për mua ka qenë përballja me lexuesin shqiptar. Pas botimit në vendin tënd, fillon një periudhë ankthi, sepse është e shumë e vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar, pasi pikërisht me të ti ndan të njëjtën histori, përditshmëri, dhe në të tilla rrethana nuk është e lehtë ta habitësh. Aq më tepër në një kohë që lexuesi është i rrahur me autorët më të mirë të letërsisë botërore. Në të tilla kushte, nëse ai të zgjedh ty është me të vërtetë për t’u vlerësuar”, u shpreh Lleshanaku.

“Detyra jonë si institucion është të ngremë struktura që t’i shërbejnë kulturës, së bukurës, artit dhe uroj që kjo nismë të pasurohet në vite dhe të sjellë sa më shumë progres”, u shpreh drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi se poetët kanë misionin e një profeti, për ta përçuar letërsinë, poezinë edhe te brezat e tjerë. Sipas saj, kur bëhet fjala për një grua, përgjegjësia është e dyfishtë. Ajo nënvizoi se poezia është një mjet më shumë jo vetëm komunikimi por edhe bashkimi mes njerëzish. 

Pas mbajtjes së kurorës si ‘Poet Laureat’ nga autori Rudolf Marku, Lleshanaku është e dyta poete laureate për Shqipërinë.  (Irma)