“National Geographic Traveller” sugjeron Shqipërinë në listën e 30 vendeve më interesante për të udhëtuar
2023-11-05 12:01:01

Foto nga Shqiperia (Foto Atsh) (1)

Foto nga Shqiperia (Foto Atsh) 

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale artikullin e botuar në “National Geographic Traveller”, e cila sugjeron Shqipërinë në listën e 30 vendeve më interesante për të udhëtuar.

Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria sugjerohet si një ndër destinacionet më tërheqëse për vitin 2024, përcjell “ATSH”.

“Duke e renditur në vendin e parë që duhet vizituar në Evropë, revista e njohur e cilëson si një arratisje të egër drejt yllit në ngjitje të Evropës përvojën e të udhëtuarit në Shqipëri gjatë vitit 2024”, shkruan Rama.

Në artikullin e botuar nga “National Geographic Traveller” theksohet: “Udhëtarët që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë një mundësi drejt Shqipërisë. Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit”.

“Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjesë e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin verior të Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit. Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore”, thuhet në artikull. (Irma)