Risi në Bashkinë Tiranë, do të ngrihen Klubet e Prindërimit
2023-11-04 15:35:03

Anisa Subashi (Foto Rtsh)

Anisa Subashi (Foto Rtsh)

Bashkia Tiranë vjen me risi këtë vit, pasi në 27 Njësitë Bashkiake do të ngrihen Klubet e Prindërimit. Drejtoresha e Shërbimeve Sociale, Anisa Subashi, deklaroi në një interviste televizive për “RTSH” se Klubet e Prindërimit ofrojnë disa modele pozitive për familjet e reja që kanë nevojë për mbështetje.

Sipas saj, përmes tyre ofrohet ndihmë nga punonjësit social dhe psikologët e Bashkisë së Tiranës për të gjitha ato nëna të reja që janë pa bashkëshortët e tyre, ose janë të divorcuar, pa të ardhura financiare ose me fëmijët me nevoja të veçanta dhe me aftësitë ndryshe.

Subashi përmendi edhe një angazhim tjetër të Bashkisë Tiranës, konsulencën për këshillimin e punësimit. Sipas saj, të gjithë studentët dhe gjimnazistët marrin informacion për tregun e punës sipas dëshirave dhe aftësive të tyre.

“Kemi hapur një zyrë për këshillimin e karrierës, sipas një modeli zviceran. Ekspertë të ndryshëm nga bashkia këshillojnë të rinjtë për karrierën e tyre që duhet të kenë në të ardhmen, duke njohur mirë tregun e punës dhe aftësitë e të rinjve.

Shërbimet Sociale kanë një diapazon shumë të gjerë dhe ne ofrojmë shërbime për të gjitha njësitë vendore që ka Bashkia e Tiranës”,- deklaroi Subashi. 

Ajo theksoi se drejtoria që kryeson ka bashkëpunim shumë të mirë me ministritë e linjës, me Shërbimin Social Shtetëror, me Prefekturën, me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe me shoqërinë civile. 

“Ne mundohemi t’i plotësojmë nevojat bazike çdo qytetari që vjen në kryeqytet, sepse fluksi i madh i shtimit të Tiranës shoqërohet dhe me probleme strehimi, punësimi dhe ekonomike”,- theksoi Subashi. (Irma)