Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, BSH: Besimi i konsumatorëve u rrit në tetor
2023-11-03 17:44:57

Banka e Shqipërisë, faqja zyrtare

Banka e Shqipërisë, faqja zyrtare

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi nivelin 110.9 në muajin tetor duke qëndruar në të njëjtën vlerë si në muajin shtator dhe 10.9 pikë mbi mesataren afatgjatë. Në raportin e Bankës së Shqipërisë, cituar nga “ATSH”, vërehet se treguesi i besimit konsumator u përmirësua, ndërsa treguesit e besimit të gjithë aktiviteteve të bizneseve shënuan rënie. Sektori që regjistroi rënien më të madhe të besimit ishte ai i industrisë.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 3.7 pikë përqindjeje në muajin tetor, i ndikuar nga vlerësimet pesimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Megjithatë, niveli i treguesit qëndron 6.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve për çmimet në këtë sektor janë në rënie, ndërkohë që ato për prodhimin dhe punësimin janë në rritje.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 1.9 pikë përqindje në muajin tetor. Ky tregues qëndron rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rënia këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 1 pikë përqindje në muajin tetor. Megjithatë, niveli i këtij treguesi qëndron në intervalin e vlerave të larta historike, rreth 17.5 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. (Elona)