Guvernatori Sejko: Inflacioni pritet të ketë rënie graduale vitin e ardhshëm
2023-11-03 18:11:56

Guvernatori Sejko (Foto RTSH)

Guvernatori Sejko (Foto RTSH)

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin e 3.25% nga 3% që ishte më parë, bën të ditur “RTSH”.

Sipas guvernatorit Gent Sejko, ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit të ardhshëm, por pritet t’i rikthehet ritmeve historike në vitet në vijim.

Sa i përket inflacionit, Sejko u shpreh se do të vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektivin e BSH-së në gjysmën e dytë të 2024-s.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës. Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi, më së shumti, rënien e inflacionit të ushqimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës.

Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë vitit 2023 është diktuar në masën më të madhe nga rënia e inflacionit të importuar.

Ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.2% në tremujorin e dytë, duke shënuar përmirësim krahasuar me periudhën paraardhëse. (Elona)