Digjitalizimi i bujqësisë, në fokus të programit të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2024
2023-11-02 17:56:02

Toke bujqesore (Foto Atsh)

Toke bujqesore (Foto Atsh)

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se në fokus të programit të punës për vitin 2024 do të jetë digjitalizimi i bujqësisë.

Ky program parashikon krijimin e një sistemi modern informacioni mbi tokën bujqësore, si një instrument efektiv në realizimin e politikës për një administrim të qëndrueshëm të tokës bujqësore, përdorimit, mbrojtjes, konsolidimit dhe zhvillimit e tregut të saj, shkruan “ATSH”.

Objektivi i këtij programi është administrim i qëndrueshëm i tokës bujqësore nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit të informaciont dhe funksionimit të një kadastre toke të shumëllojshme, ku parashikohet krijimi i sistemit të informacionit për tokën (LIS) dhe integrimi në Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS).

Specialistët e bujqësisë shprehen se sistemi i digjitalizuar do të shërbejë edhe për aplikimin e metodologjisë së re të taksës mbi tokën bujqësore, e cila është propozuar në nivelin 0.1 për qind të vlerës. Gjithashtu digjitalizimi do të shmangë problematikat që ekzistojnë aktualisht me mbivendosjen e hartave dhe mospëruthjen midis dokumentacionit dhe parcelës fizike. (Irma)