Paketa Fiskale 2024, propozohet rritja e taksës së karbonit
2023-11-02 17:54:05

Taksa e karbonit (Foto Atsh)

Taksa e karbonit (Foto Atsh)

Në Paketën Fiskale që do të shoqërojë buxhetin në vitin 2024 propozohet rritja, sipas një kalendari, e taksës së karbonit për qymyrin, si dhe përfshirja në taksën e karbonit edhe e disa nënprodukteve dhe e formave të tjera të qymyrit.

Këto ndryshime, bëhet e ditur në relacionin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, përfaqësojnë hapat e nevojshëm në mbështetje të hartimit të kuadrit ligjor të lidhura me angazhimet e shtetit shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe frenimin e ndryshimeve klimaterike, shkruan “ATSH”.

Po ashtu do të mundësojnë që masa e barrës fiskale, që duhet të paguhet për çlirimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë nga djegia e qymyrit, për prodhimin e produkteve të ndryshme (hekur, çimento, ferro-krom etj.), të paguhet në Republikën e Shqipërisë dhe jo në shtetin ku do të eksportohet produkti apo nënproduktet e tij, si dhe produkte të tjera, që e përdorin qymyrin si lëndë djegëse. Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në çdo rrethanë, niveli i taksës do të merret qoftë në vendin e origjinës, qoftë në vendin ku përdoret produkti.

Bazuar në të dhënat e marra nga subjektet, ministria ka analizuar ndikimin që ndryshimi në rritje i taksës së karbonit do të ketë në rritjen e kostove të produktit të këtyre kompanive.

Me qëllim që ndikimi në kostot e produktit mos të jetë i menjëhershëm, por të vijë gradualisht dhe në edukimin e tatimpaguesve, për vitin 2024 propozohet rritja me 0.5 lekë/kg e taksës së qymyrit, e cila, sipas analizave, rezulton se do të sjellë një rritje të kostos së plotë të prodhimit të çimentos me 0.5%. Por, duke pasur parasysh se aplikimi i taksave të karbonit do të jetë një fenomen global, rritje të kostove do të kenë të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë në rajon dhe në Evropë.

Njëkohësisht, eksportet më të mëdha të këtyre kompanive janë kryesisht me vende, si: Kosova, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Rusia. Duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre vendeve kanë statusin e vendit negociator për përfshirjen në Bashkimin Evropian, edhe politikat fiskale të tyre pritet të jenë në të njëjtën linjë për sa parashikohet në këtë projektligj.

Lidhur me të ardhurat shtesë nga kjo taksë, për vitin 2024 parashikohet të arkëtohen nga taksa e karbonit mbi qymyrin me rreth 170 milionë lekë shtesë, nga 300 milionë lekë sa mblidhen aktualisht. (Irma)