Rama: Kampionëve sportivë do t’u garantohet pension si ish-ushtarakë
2023-11-01 16:57:32

Edi Rama (Foto Panorama)

Edi Rama (Foto Panorama)

Kampionët sportivë do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura deri në fund të jetës së tyre aktive dhe pas kësaj do t’u garantohet pension si ish-ushtarakë. Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e nderimit me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për kampionin e karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi, tha se ka ikur koha kur kampionët sportivë liheshin në varfëri, citon “Panorama”. 

“Jam me fat që sot për shkak të detyrës jam këtu në këtë podium për t’i shprehur Alvinit dhe familjes së tij mirënjohjen, respektin dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar jo vetëm Alvinin, por të gjithë sportistët, që janë sot në kushte krejt të reja falë bashkëpunimit të ngushtë me Komitetin Olimpik Shqiptar.

Sot, Shqipëria, e vogël, u ofron kampionëve dhe atyre që sakrifikojnë të bëhen kampionë një mbështetje, sidomos në këto sporte që nuk hyjnë në industritë e mëdha si futbolli. Janë të jashtëzakonshme, por zhvillohen në një nivel sponsorizimi dhe vëmendjeje që është shumë modeste në krahasim me futbollin. Kemi humbur në vitet 2000 talente që janë detyruar të ndryshojnë flamurin. Kanë lënë pas atdheun dhe kanë zgjedhur një atdhe të dytë, ndonjëherë dhe për një copë bukë. Kjo nuk ndodh më”,- tha Rama. (Elona)