Ulen shpenzimet e kryefamiljarëve me arsim të lartë dhe të mesëm
2023-11-01 17:22:56

Para (Foto Panorama)

Para (Foto Panorama)

Personat e arsimuar në Shqipëri po përballen me mundësi të kufizuara për të ardhura dhe karrierë dhe kjo po rëndon gjendjen e tyre ekonomike.

Anketa e buxhetit të familjeve nga INSTAT-i tregoi se në vitin 2022, familjet që kishin kryefamiljar me arsim të lartë shpenzuan 2% më pak se në vitin 2021, shkruan “Panorama”.

Në kushtet e një inflacioni jo të zakontë, ku çmimet u rritën mesatarisht me 6.7% vitin e kaluar, kryefamiljarët me arsim të lartë u përballën me rënie të konsiderueshme të shpenzimeve dhe për rrjedhojë edhe më përkeqësim të mirëqenies së tyre.

Te kryefamiljarët me arsim të mesëm rënia e shpenzimeve ishte edhe më e lartë. Një familje në këtë kategori shpenzoi rreth 3.2% më pak se në vitin 2021.

Rritja e shpenzimeve ishte e ndjeshme për familjet pa shkollë dhe ato me arsim me 8-9 vjeçar. Sipas të dhënave të INSTAT-it, familjet me kryefamiljar pa asnjë nivel arsimi të përfunduar shpenzuan në vitin 2022 rreth 8.8 për qind më shumë në raport me vitin 2021.

Përgjatë vitit 2022, por edhe 2023 paga minimale është rritur me ritme më të shpejta se paga mesatare e nxitur edhe vendimet e qeverisë.

Tregu i punës po gjeneron ofertë të bollshme për punë në profesione që nuk kërkojnë kualifikim. Zhvillimi i turizmit rriti ndjeshëm kërkesën për punonjës të pastrimit dhe nga në anën tjetër në sektorin e ndërtimit kërkesa për punonjës krahu është e lartë duke bërë që pagat për këtë kategori të jenë shpesh mbi nivelin minimal. (Elona)