Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX/ Kreu i shtetit thekson nevojën për shkrimin pa ndikime
2023-11-01 17:36:56

Tirana (Foto ATSH)

Tirana (Foto ATSH)

Botohet “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” në pesë vëllime, një produkt i punës së 44 studiuesve, stafit kërkimor në Institutin e Historisë, në Universitetin e Tiranës, në institucione të tjera universitare në vend, si dhe në institucione homologe në Prishtinë dhe Tetovë.

I pranishëm në ceremoninë e publikimit të kësaj vepre voluminoze, presidenti Bajram Begaj, theksoi nevojën për shkrimin sa më të drejtë dhe pa ndikime të  historisë, citon “RTSH”.

“Nuk mund të kesh të ardhme pa njohur historinë. Në këtë kontekst, rrugëtimi ynë drejt Europës merr një kuptim të veçantë. Prandaj është me rëndësi që tregimi i drejtë i narrativës së kombit tonë të shihet nën dritën e përpjekjeve tona historike për të ndërtuar një shoqëri të drejtë me frymë europiane. Natyrisht, rrugës kemi pasur pengesa dhe devijime, por kursi është i qartë dhe ne jemi të vendosur për destinacionin tonë drejt Europës demokratike”,- tha presidenti Begaj në fjalën e tij.

Historiani Beqir Meta, i cili është edhe drejtues shkencor i këtij projekti 10-vjeçar, u ndal te kujdesi që është treguar për të sjellë faktet historike të periudhave të ndryshme në mënyrë sa më të balancuar.

Ky është botimi më i rëndësishëm i Institutit të Historisë gjatë dekadës së fundit dhe një prej botimeve më të rëndësishme në procesin e shkrimit dhe rishkrimit të historisë bazuar në burime arkivore të reja dhe të shumëfishta, metodologji dhe prurje të reja në teza, qëndrime dhe analizë profesionale.

Në përfundim të ceremonisë u shpërndanë certifikata për studiuesit dhe historianët të cilët kontribuuan në këtë botim. (Elona)