Shqipëria renditet e para në Evropë për rritjen e fluturimeve
2023-10-30 16:15:53

Aeroporti (Foto Rtsh)

Aeroporti (Foto Rtsh)

Organizata Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (Eurocontrol) e renditi Shqipërinë të parën në Evropë për rritjen më të madhe të numrit të fluturimeve në javën 16-22 tetor, në raport me periudhën e para pandemisë, njofton “ATSH”.

Duke komentuar statistikat e publikuara nga “Eurocontrol”, kryeministri Edi Rama u shpreh se edhe tetori shënoi një bum në turizëm si kurrë më parë, duke theksuar se aeroporti “Nënë Tereza” vazhdon në krye të klasifikimit të Agjencisë Europiane të Trafikut Ajror, për rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në periudhën janar-shtator, në vend kanë hyrë gjithsej 8.3 milionë shtetas të huaj, shifër kjo 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas shifrave zyrtare të TIA-s, nga 1 janari deri në fillim të muajit tetor të këtij viti mbi 5.4 milionë pasagjerë janë përpunuar vetëm në Aeroportin e Rinasit, duke shënuar rritje me 37% krahasuar me 2022. (Fatosi)