Kryeministri Rama: Rikthehet pas 170 vitesh teknika fotografike e Marubit
2023-10-29 17:05:09

Marubi (Foto Atsh)

Marubi (Foto Atsh)

Në Muzeun “Marubi” në Shkodër, pas 170 vitesh është rikthyer teknika fotografike e kolodiumit të lëngshëm, me të cilën Pietro Marubi filloi rrugëtimin e fotografisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aplikimi i kësaj teknike në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë, përcjell “ATSH”.

Një ndër ekspertët gjermanë, Maximilian Zeitler, fotograf dhe specialist i realizimit të proceseve historike të fotografisë, gjatë vizitës në muzeun “Marubi” pa nga afër disa prej negativëve të teknikës së kolodiumit të lëngshëm.

“Shkodra e artit dhe kulturës ofron një udhëtim mbrapa në kohë përmes fotografisë, me eksperiencën e veçantë të teknikës që përdorej 170 vjet më parë nga i papërsëritshmi Pjetër Marubi dhe pasardhësit e tij gjenialë të dinastisë legjendare të Marubëve. Kjo teknikë e aplikuar sërish në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë, të cilët e aplikojnë ende metodën e fotove bardhezi të punuara manualisht, risjellë në Shkodër nga drejtuesi pasionant i muzeut unikal ku ruhet thesari i Marubëve, Luçiano Bedeni”, shkruan kryeministri Rama.

Pietro Marubi ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës. Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi studion e parë fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856-n e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Përveçse fotograf, Marubi ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor. Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi. (Irma)