Sllovakia ndalon ndihmën ushtarake për Ukrainën
2023-10-29 15:44:25

Kryeministri sllovak (Foto Currentaffairs)

Kryeministri sllovak (Foto Currentaffairs)

Kryeministri i sapozgjedhur i Sllovakisë, Robert Fico, njoftoi se qeveria e tij do të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë dhe do të ofrojë vetëm ndihmë humanitare. Fico shprehu gjithashtu kundërshtimin ndaj sanksioneve kundër Rusisë, bën të ditur “Xinhua”.

"Nëse do të ketë sanksione të tilla që do të na dëmtojnë, siç kanë bërë shumica e sanksioneve, nuk shoh asnjë arsye për t'i mbështetur ato",- tha ai.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Fico u takua me anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Sllovakisë përpara se të nisej për në Bruksel për të ndjekur një samit të BE-së. Sllovakia do ta mbështesë Ukrainën dhe do t'i japë asaj ndihmë të gjithanshme, njoftoi Komiteti i Punëve të Jashtme, duke shtuar se Fico do ta paraqiste këtë qëndrim në samitin e BE-së, njoftuan mediat lokale.

Fico tha se nuk e konsideron furnizimin me armë brenda ndihmës së gjithanshme. (Irma)