Eurostat: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me energjinë më të shtrenjtë në rajon
2023-10-29 15:51:16

Energjia-(Foto-Panorama)

Energjia-(Foto-Panorama)

Familjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e paguajnë më shtrenjtë energjinë që konsumojnë, në raport me vendet e tjera të rajonit, bëhet e ditur në të dhënat e publikuara nga Eurostati, citon “Panorama”.

Sipas raportit të Eurostatit, në 6-mujorin e parë 2023, një kilovat orë (Kvh) energji në Shqipëri kushtonte 0.101 euro (ose 10.1 euro për 100 kilovat orë), ndërsa në Maqedoninë e Veriut është lehtësisht më e shtrenjtë në 0.105 euro për kilovat orë (10.5 euro për 100 kilovat orë).

Familjet e Kosovës kanë energjinë më të lirë në Europë, me 0.067 euro për kilovat orë, sipas Eurostat. Pas tyre renditet Turqia (0.084), Bosnjë-Hercegovina (0.087), Serbia (0.096), Mali i Zi (0.096).

Mesatarja e Bashkimit Europian është gati tre herë më e shtrenjtë se rajoni, në 0.289 euro për kilovat orë.

Sipas Eurostat-it, pas një rritjeje të konsiderueshme shkaktuar nga konflikti ruso-ukrainas, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit po stabilizohen.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, çmimet mesatare të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në BE vazhduan të shënojnë rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 25.3 euro për 100 kvh në 28.9 euro për 100 kvh.

Edhe çmimet mesatare të gazit janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 8.6 euro për 100 kvh në 11.9 euro për 100 kvh në gjysmën e parë të 2023-shit. Këto çmime janë më të lartat e regjistruara nga Eurostati. (Irma)