Emigracioni/ Eurostat: 32% më pak shqiptarë se vjet kërkuan azil në BE
2023-10-28 09:48:31

Emigracioni (Foto Panorama)

Emigracioni (Foto Panorama)

Të dhënat e Eurostatit për aplikimet për azil tregojnë se ritmet e kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë kanë rënë ndjeshëm në muajt e këtij viti, sidomos gjatë periudhës së verës, kur tradicionalisht kishte më shumë ikje.

Sipas Eurostatit, në periudhën janar-gusht 2023 kishte gjithsej 4560 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë, me një rënie prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “Panorama”.

Në korrik dhe në gusht, kërkesat për azil u përgjysmuan në krahasim me periudhat përkatëse të një viti më parë, ndërsa ishin në rënie dhe në krahasim me muajt e parë të vitit.

Gjatë 2022, kishte ndodhur e kundërta, me kërkesat për azil që rriteshin duke filluar nga maji. Kërkesat për azil janë treguesi i parë i tendencës së emigrimit. Vitin e kaluar u shënua një rritje e ndjeshme e tyre.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostatit, në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, pa Britaninë, niveli më i lartë që nga 2020-a.

Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%. Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Britani ishte 15.925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.

Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a. (Irma)