Rritje rekord e numrit të pensionistëve gjatë këtij viti
2023-10-28 15:05:53

Numri i personave që trajtohen me pension pleqërie arriti në 491.504 në 6-mujorin e parë të vitit 2023, gati 23 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fundi i vitit, skema u zgjerua me rreth 10 mijë pensionistë të rinj, shkruan “Panorama”.

Këto ishin ritmet më të larta të rritjes në dy dekadat e fundit. Numri i pensioneve të pleqërisë u rrit me rreth 5% në një vit, por nga ana tjetër skema e pensioneve po shfaq qëndrueshmëri.

Rritja e të ardhurave nga kontributet dhe masa më e ulët e pensioneve të reja kanë përmirësuar deficitin e skemës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 6-mujorin e parë të vitit deficiti i skemës së pensioneve, i cili u subvencionua nga buxheti i shtetit, ishte 8 miliardë lekë nga 12 miliardë në 6-mujorin e parë të vitit 2022 me një rënie gati 30%. Të ardhurat nga sigurimet në 6-mujorin e parë pësuan rritje vjetore me 12%.

Në këtë periudhë po del në pension brezi i lindur në vitet 1960-1970, shumica e të cilëve punuan në vitet e tranzicionit dhe nuk përmbushin kushtet për pension të plotë.

Personat, që dalin në pension pas vitit 2015, për një periudhë afatmesme përfitojnë rritje më të moderuar të masës së pensionit, krahasuar me pensionistët që dolën në pension para këtij viti, për shkak të ndryshimit të parimit, nga pension solidar në pension në bazë të kontributeve. (Irma)