Prej nëntorit “Ryanair” nis operimin në Shqipëri, ministri Mete: Po kthehemi në destinacion të rëndësishëm turistik
2023-10-27 14:12:59

Foto nga Exyaviation

Prej nëntorit, kompania irlandeze “Ryanair” nis operimin në Shqipëri. Në eventin e organizuar me këtë rast, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, deklaroi se ardhja e një kompanie me një eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, përcjell “ATSH”.

Ministri theksoi faktin se turizmi në vend ka njohur rritje gjatë këtij viti dhe Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.

Rritja e numrit të pasagjerëve, tha ministri Mete, ka shtuar konkurrencën dhe interesin e kompanive “low cost” që të operojnë në Shqipëri, duke rritur numrin e fluturimeve dhe prania e tyre tregon se vendi po kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik.

Ai theksoi se qeveria shqiptare synon të mbështesë dhe të zhvillojë më tej infrastrukturën aeroportuale dhe ndërlidhjet e saj me rrjetet rrugore dhe hekurudhore, ashtu siç do të jenë në vëmendje të gjitha shërbimet mbështetëse që lidhen me industrinë e turizmit.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Ryanair”, Michael O’Leary, dhe drejtues të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Kompania “Ryanair” parashikon që deri në fund të vitit 2023 të ketë rreth 200 fluturime në javë, në 17 destinacione dhe krijimin e rreth 1 mijë vendeve të reja të punës.

Sipas shifrave të INSTAT-it, për periudhën 9-mujore vendin e kanë vizituar rreth 8.3 milionë turistë, ndërsa muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 45% më shumë se vitin e kaluar.

Po ashtu, shifrat e EUROSTAT e renditën Shqipërinë në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes së numrit të fluturimeve tregtare në periudhën qershor-shtator, një rezultat impresionues, me gjithsej 19.300 fluturime, ose 27.8% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Irma)