“Automotive Fair Albania”, pritet të prezantohet supermakina e parë shqiptare
2023-10-27 14:48:30

Foto nga RTSH

Tirana do të shndërrohet për katër ditë me radhë në qytetin e makinave, pasi për të gjithë dashamirësit e aventurave në timon në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet panairi “Automotive Fair Albania”, deri më 29 tetor, i cili do të mbledhë në kryeqytetin shqiptar mijëra adhurues të automjeteve, biznesmenë dhe personalitete të shumta nga vendi dhe bota.

Gjatë një interviste për “RTSH”-në, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, deklaroi se panairi do të ndahet në katër pavione, një prej të cilëve do t’i dedikohet tërësisht risive teknologjike dhe start-up-eve që lidhen me automjetet.

Sipas tij, Pallati i Kongreseve dhe gjithë hapësira rreth e rrotull do të shndërrohet në një hapësirë për të gjithë të pasionuarit pas automjeteve klasike, atyre moderne, teknologjisë së automjeteve dhe jo vetëm. Eventi do të shtrihet edhe në hapësira të tjera, duke kombinuar ekspozitat e mjeteve klasike dhe atyre moderne me garat plot adrenalinë të makinave sportive.

“Ky nuk është vetëm një panair, por është një ngjarje për të gjithë ekspertët rajonalë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë e forumeve, si pjesë e pandarë e këtij niveli për automobilizmin”,- tha Gonxhja, i cili zbuloi se në panair do të shpalosen skicat e para të projektet të “super makinës” së parë shqiptare, si dhe do flitet për mundësinë që i jepet vendit tonë që investitorët e huaj të shohin nga afër mundësitë që Shqipëria afron. (Irma)