Shqipëria, marrëveshje me Gjermaninë për forcimin e sigurisë rrugore
2023-10-26 10:55:02

Foto nga ATSH

Gjermania do të mbështesë qeverinë shqiptare për forcimin e sigurisë rrugore, edukimin mbi trafikun dhe shfrytëzimin e rrugës.

Për këtë qëllim u nënshkrua në Tiranë marrëveshja e bashkëpunimit nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, dhe sekretari parlamentar i Shtetit dhe koordinator federal për Logjistikën dhe Transportin e Mallrave në Gjermani, Oliver Luksic.

Përmes kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen për të rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin për sigurinë rrugore, për të gjithë përdoruesit e rrugës, për të mobilizuar organet publike dhe aktorët privatë drejt veprimeve konkrete me synim krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe reduktimin e aksidenteve rrugore e pasojave, shkruan “ATSH”.

Ky bashkëpunim përforcon marrëdhëniet mes dy vendeve, duke afruar edhe më tej DPSHTRR-në me institucionet gjermane, drejt një misioni dhe vizioni të përbashkët për programet kombëtare të sigurisë rrugore. (Elona)