Miratohet vendimi, Shqipëria anëtare e organizatës “Bashkimi Ndërkombëtar i Konservimit të Natyrës”
2023-10-26 14:48:43

Foto nga RTSH

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën “Bashkimi Ndërkombëtar i Konservimit të Natyrës”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një deklaratë për mediet.

Kumbaro tha se pas miratimit në Këshillin e Ministrave, vendimi do të kalojë në Kuvend, bën të ditur “ATSH”.

“Kjo organizatë ka vendosur standardet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për zonat e mbrojtura, për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre”, - tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se deri tani në këtë organizatë ka qenë Agjencia Kombëtare si anëtare në një nivel agjencie, por për të parën herë Shqipëria bëhet anëtare si shtet që i jep edhe të drejta të plota dhe ofron mundësinë për shkëmbime  përvojash.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë është edhe një herë një angazhim dhe një nivel më i lartë i premtimeve dhe punës që bën qeveria shqiptare në atë që e ka konsideruar që ditën e parë të këtij mandati të tretë prioritet, mjedisin, zonat e mbrojtura, të cilat vetëm në dy vitet e fundit i kemi shtrirë nga 17% e territorit në 21.4%”,- tha Kumbaro.(Elona)