Ministrja Muzhaqi: Panair pune në çdo qark për informimin e të rinjve
2023-10-25 11:46:28

Foto nga ATSH

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në kuadër të nismës “Panair në çdo qark”, ka organizuar panairin për edukim, trajnim dhe punësim në qytetin e Vlorës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, dhe më shumë se 30 aktorë që ofrojnë shërbime për të rinjtë.

Muzhaqi vlerësoi pozitivisht angazhimin e të rinjve në këtë panair, në mënyrë që secili prej tyre të merrte më të mirën për zhvillimin e tyre personal, akademik dhe profesional, citon “ATSH”.

“Përveç prezantimit me projektet kombëtare që po zbatojmë për të rinjtë, si Programi i Kodimit, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës dhe Garancia Rinore që do të implementojmë së shpejti, ne sot kemi pranë nesh edhe aktorë lokalë, që secili prej jush të informohet për mundësi reale edukimi, trajnimi dhe punësimi”,- tha Muzhaqi.

Ministrja tha se ky aktivitet është pjesë e një liste të gjatë nismash që po ndërmerren në çdo qark me qëllim informimin e të rinjve për mundësitë që ekzistojnë. (Elona)