Aksident i rëndë në SHBA, përplasen 158 makina, humbin jetën 7 persona
2023-10-25 11:10:44

Foto nga VCG

Një aksident i rëndë ku u përfshinë 158 automjete u ka marrë jetën 7 personave, ndërsa mbi 25 të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi në Luiziana dhe shkak për aksidentin e rëndë, sipas meteorologëve, është bërë mjegulla e dendur, shkruan “RTSH”.

Disa nga automjetet u dogjën pas përplasjes. “Një nga automjetet e përfshirë në aksident ishte një kamion cisternë që transportonte lëng të rrezikshëm, njoftoi policia, pa dhënë detaje mbi substancën.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Eduards, tha se po lutej për viktimat dhe të plagosurit.

“Dua të falënderoj reaguesit e parë dhe personelin mjekësor që kanë punuar me kaq zell për të shpëtuar jetë dhe për të ofruar ndihmë. Mënyra më e mirë që mund t'i ndihmoni, përveçse të tregoni kujdes në rrugë, është të dhuroni gjak në qendrën lokale të dhurimit të gjakut. Do të ndihmojë në rimbushjen e furnizimeve që po zbrazen për t'u kujdesur për të plagosurit. Kombinimi i tymit të zjarrit dhe mjegullës së dendur është i rrezikshëm dhe dua të inkurajoj të gjithë banorët e Luizianës në zonat e prekura që të kenë kujdes ekstrem gjatë udhëtimit”,- shkroi Eduards në platformën “X”.  (Elona)