Shqipëri-Turqi, takime konsultative mbi zhvillimet në rajon dhe BE
2023-10-24 10:27:09

Foto nga RTSH

Turqia dhe Shqipëria do të zhvillojnë sot takime konsultative për aspekte të ndryshme të sigurisë dhe zhvillimeve politike në rajon dhe BE, njofton “RTSH”.

Ministria e Jashtme turke njoftoi se takimi në Ankara do të zhvillohet në nivel zëvendësministrash.

“Do të diskutojmë për të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe Turqi-Shqipëri, zhvillimet aktuale në rajonin tonë si dhe proceset e aderimit në BE të dy vendeve tona kandidate”,- bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të diplomacisë turke.

Shqipëria dhe Turqia firmosën në vitin 2021 një marrëveshje për të forcuar raporte shtetërore në shkallën e partneritetit strategjik.

Shqipëria ruan lidhjet historike me Turqinë dhe mes dy vendeve ka bashkëpunim të mirë ekonomik, duke qenë se në Shqipëri veprojnë rreth 30 kompani turke me investime që arrijnë rreth 3 miliardë dollarë. (Fatosi)