Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, 11 miliardë lekë më të larta se në 2022-shin
2023-10-24 14:15:29

Foto nga ATSH

Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 44.9 miliardë lekë, njofton “ATSH”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se të ardhurat nga ky zë rezultuan 11 miliardë lekë, ose 32.4% më shumë se 9-mujori 2022.

Sipas raportit të publikuar mbi treguesit fiskal, të ardhurat nga tatimi mbi fitimi rezultuan edhe 6.6 miliardë lekë ose 17.7% më shumë se plani i 9-mujorit të vitit 2023 për tatimin mbi fitimin.

Rritja e nivelit të të ardhurave të mbledhura nga ky zë, lidhet me një fitim më të lartë të bizneseve për shkak të rritjes së çmimeve, i diktuar nga kriza, por dhe me miradministrimin tatimor.

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit dhe sektori i ndërtimit, tregtia dhe prodhimi patën rritjen më të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. (Fatosi)