Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv
2023-10-23 11:20:23

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha, ndërsa ka arrestuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, njofton “Panorama”,.

Sipas SPAK-it, Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Atij i është sekuestruar pasaporta dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit.

Në vendim thuhet se Jamarbër Malltezi akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Në vendimin e SPAK-ut bëhet e ditur se dhëndri i Berishës dyshohet se ka përfituar në këtë aferë 5.4 milionë euro.

Me të njëjtën akuzë është arrestuar edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi.

Gjithçka ka lidhje me dosjen e privatizimit të kompleksit të ish-klubit Partizani në Tiranë, ku është ndërtuar një bllok banimi.

Në një konferencë shtypi në orët e vona të së shtunës, lideri historik i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se gjithçka është vepër e kryeministrit socialist Edi Rama në kundërshtim me Kushtetutën. (Fatosi)